STABILITETI EKONOMIK DHE KLIMA E FAVORSHME E INVESTIMEVE
Edhe pse nuk ka ende programe të veçanta që lidhen me nxitjen e investimit të dërgesave të emigrantëve, në Shqipëri ka pasur përmirësim të ndjeshëm të klimës së biznesit, nëpërmjet uljes së barrës fiskale, uljes së barrës administrative dhe luftës kundër klientelizmit dhe evazionit fiskal. Efektet janë ndjerë në disa indikatorë sasiorë, siç janë numri i tatimpaguesve biznese dhe numri i të siguruarve (në vitin 2009 numri i subjekteve në sistemin tatimor ka arritur në 56,133 subjekte, me ecuri rritëse nga viti në vit dhe numri i punonjësve që paguajnë sigurimet shoqërore është rritur në 370,000 punonjës në vitin 2008).
Legjislacioni në fuqi : Ligji nr. 9497, datë 20.3.2006 “Për krijimin e Agjencisë Shqiptare të Biznesit dhe të Investimeve” Vendim Nr. 514, datë 26.7.2006 “Për miratimin e Statutit të Agjencisë Shqiptare të Biznesit dhe Investimeve”
SIGURIMET SHOQËRORE Ligji nr. 9668 datë 18.12.2006 “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi” që ka zëvendësuar ligjin e vitit 2003 Neni 34. Sigurimet shoqërore të emigrantëve
“Sigurimet shoqërore të emigrantëve shqiptarë, të punësuar në mënyrë të rregullt, rregullohen në bazë të legjislacionit për sigurimet shoqërore të shtetit shqiptar dhe të shtetit pritës, marrëveshjeve dypalëshe në këtë fushë dhe konventave ndërkombëtare për sigurimet shoqërore, ku Republika e Shqipërisë është palë” - Situata aktuale. Në fushën e mbrojtjes sociale, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Turqinë për transferimin në vendin e origjinës së kontributeve të sigurimit shoqëror të derdhura në vendin pritës. Negociatat me Rumaninë dhe Bullgarinë për këtë lloj marrëveshjeje janë në fazë të avancuar.