|
Informacione mbi procedurat e rregullta të emigrimit ne GREQI |
|
|
|
|
There are no translations available.
Hyrja dhe qëndrimi për punësim në Greqi (Neni 14 dhe neni 15 i Ligjit nr. 3386/2005)
1. Lejohet hyrja në Greqi për qëllime punësimi për një shtetas nga vende të treta që ka një marrëdhënie punësimi si punëmarrës me një punëdhënës të caktuar për një tip të caktuar punësimi, nëse ka marrë më parë vizën përkatëse. 2. Në qendrën (selinë) e çdo Rajoni ngrihet një Komitet i cili përbëhet nga: a) Sekretari i Përgjithshëm i Rajonit ose Kryetari i Shërbimit kompetent për të Huajt dhe Imigrimin, si kryetar. b) Kryetari i Organit të Inspektoratit të Punës. c) Një përfaqësues i Administratave Prefekturore të Greqisë. d) Një përfaqësues i Organizates për Punësimin e Fuqisë Punëtore (OAED). e) Një përfaqësues i Qendrës së Punësimit nga qendra (selia) e rajonit. f) Një përfaqësues i Dhomave vendore. g) Një përfaqësues i Konfederatës së Përgjithshme të Sindikatave të Bujqësisë ose të Konfederatës Greke të Sindikatave të Bujqësisë, si anëtarë të rregullt, së bashku me zëvendësuesit e tyre të përcaktuar, përkatës. Komiteti mblidhet me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Rajonit, në dhjetor, një herë në dy vjet. Vlefshmëria e fuqishmërisë së këtij Komiteti është dy vjet dhe fillon më 1 janar të vitit në vazhdim. Në rastin kur anëtarët e tij nuk përcaktohen nga organizatat kompetente të paragrafit të mësipërm, brenda 30 ditësh nga paraqitja e kërkesës zyrtare, ato përcaktohen nga Sekretari i Përgjithshëm i Rajonit. 3. Misioni i Komitetit është të hartojë, gjatë tremujorit të fundit të çdo viti, një raport ku paraqiten nevojat aktuale për fuqi punëtore në Rajon, vendet e punës në dispozicion, sipas specialiteteve, prefekturës dhe kohëzgjatjes së punësimit, të cilat mund të zihen nga shtetasit e vendeve të treta. Për hartimin e raportit, Komiteti merr parasysh interesat e ekonomisë kombëtare, ofertën e vendeve të punës për shtetasit dhe shtetasit nga vende të treta që qëndrojnë ligjërisht në Greqi, si dhe kërkesat për specialitetet. 4. Raporti i mësipërm i kalohet Ministrisë së Punës dhe të Mbrojtjes Shoqërore që nxit nxjerrjen e vendimit të përbashkët ministror të paragrafit të mësipërm. I njëjti raport i komunikohet Ministrisë së Brendshme, Administratës Publike dhe Decentralizimit. 5. Me vendim të Ministrave të Brendshëm Administratës Publike dhe Decentralizimit, Punëve të Jashtme dhe të Punës dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në raportin e paragrafit të mësipërm, përcaktohet numri maksimal i lejeve të qëndrimit për punësim, i cili nxirret çdo vit për shtetasit nga vende të treta, sipas prefekturës, shtetësisë, tipit dhe kohëzgjatjes së punësimit, si dhe të dhëna të tjera të rëndësishme. 6. Vendimi i përcillet Rajoneve përkatëse, OAED-it dhe Ministrive të tjera kompetente, si dhe autoriteteve konsullore greke përkatëse në vendet e origjinës. 7. Vendimi vendoset në një vend të dukshëm, pranë autoriteteve konsullore greke përkatëse. I njëjti autoritet merr kërkesa gjatë gjithë vitit dhe, çdo tre muaj, i përcjell Rajonit të interesuar një listë emërore të atyre që kanë parashtruar kërkesat përkatëse. 8. Çdo punëdhënës, bazuar në listën e paragrafit të mësipërm, paraqet në bashkinë apo komunën e vendit të tij të banimit apo të qëndrimit kërkesë me qëllim punësimi punëtorësh përmes një kontrate për punëmarrësit, së bashku me një letër garancie të një banke apo të Fondit të Depozitave dhe të Huadhënieve që i korrespondon një shume, të paktën të barabartë me të ardhurat e një punëtori të pakualifikuar për tre muaj, kjo për të mbuluar shpenzimet e jetesës së një shtetasi nga vende të treta në Greqi për tre muaj, si dhe me një shumë që përcaktohet me vendim të përbashkët ministror, sipas par. 2 të nenit 90 të këtij ligji, shumë që do të mbulojë shpenzimet për rikthimin apo dëbimin e tij/saj për në vendin e origjinës. Letra e garancisë që është e barabartë të paktën me të ardhurat e një punëtori të pakualifikuar për tre muaj, i rikthehet punëdhënësit pas lëshimit të lejes së qëndrimit dhe jo përpara plotësimit të periudhës tremujore që nga data kur ka hyrë në fuqi leja. Organi kompetent për shqyrtimin e kërkesës është Shërbimi përkatës për të Huajt dhe Imigrimin i Rajonit.
9. Sekretari i Përgjithshëm i Rajonit nxjerr një vendim, sipas së cilit lejohet punësimi i shtetasit nga vende të treta për ofrimin e shërbimeve tek një punëdhënës i caktuar, vendim që, po ashtu, i kalohet autoritetit konsullor grek përkatës.
Marrja e vizës për punësim në Greqi nga autoritetet konsullore dhe diplomatike greke në Shqipëri.
Një shtetas i huaj që ka marrë një vizë me motive punësimi si punëmarrës, pajiset me një leje qëndrimi si i punësuar në Greqi, nëse: - ka një kontratë pune ku përcaktohet se paga e tij/saj është të paktën e barabartë me të ardhurat mujore të një punëtori të pakualifikuar, si dhe nëse - paraqet provat dokumentore të përcaktuara me vendim, sipas nenit 11, par.2 të ligjit 3386/2005.
RIPERTERITJA E LEJES SE QENDRIMIT LEJE QENDRIMI PER PUNESIM SI PUNEMARRES (Neni 15 i ligjit 3386/2005)
Për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit për punësim si punëmarrës, një shtetas nga vende të treta duhet që, brenda një periudhe dymujore para përfundimit të lejes së tij/saj të qëndrimit, të paraqesë,pranë bashkisë apo komunës së vendit të tij qëndrimit apo banimit një kërkesë dhe provat dokumentore si më poshtë:
a) shlyerja e detyrimeve taksore; b) plotësimi i kushteve të parashikuara në paragrafin e mësipërm; c) numrin minimal të kontributeve në një institucion përkatës të sigurimeve shoqërore, siç përcaktohet me vendim, sipas nenit 90, par.1 i këtij ligji.
Organi kompetent për shqyrtimin e kërkesës është Shërbimi përkatës për të Huajt dhe Imigrimin i Rajonit.
Ndryshimi i punëdhënësit Shtetasi nga vende të treta lejohet të lidhë një kontratë pune me një punëdhënës tjetër gjatë lejes së tij të parë të qëndrimit, me kusht që: - të mos ndryshojë profesioni për të cilin u lëshua leja, si dhe - të mos ndryshojë institucioni i sigurimeve shoqërore; - kur ndryshon punëdhënës, punëmarrësi duhet të njoftojë Shërbimin kompetent për të Huajt dhe Imigrimin të Rajonit, brenda një periudhe 30 ditore pas nënshkrimit të kontratës së re.
Punësimi në një prefekturë apo rajon tjetër, të ndryshëm nga ai për të cilën u lëshua leja e qëndrimit Mbajtësi i një leje qëndrimi për punësim si punëmarrës ka të drejtë të punojë në një prefekturë tjetër të të njëjtit Rajon apo në një Rajon tjetër, pas një viti nga lëshimi i lejes së parë, nëse përmbush kushtet e mëposhtme: a) ka ndërprerë kontratën e tij të mëparshme dhe ka pasur një njoftim mbi arsyet e kësaj ndërprerjeje dhe b) shtetasi nga vende të treta ka nënshkruar një kontratë të re me një punëdhënës tjetër në një prefekturë tjetër.
Ripërtëritja e lejes së qëndrimit duke ndryshuar motivacionin e saj Me plotësimin e periudhës njëvjeçare, pas lëshimit të lejes së qëndrimit për punëmarrës, leja mund të ripërtërihet për ofrim shërbimesh apo punë, nëse - shtetasi nga vende të treta ka shlyer detyrimet e tij taksore dhe - ka një numur minimal kontributesh nga instituti përkatës i sigurimeve shoqërore, siç përcaktohet nga neni 90, par.1 i këtij ligji. Leja e qëndrimit për ofrimin e shërbimeve apo punës, e lëshuar sipas sa më sipër, zgjat dy vjet dhe mund të ripërtërihet çdo dy vjet.
Çdo ndryshim i mëtejshëm i lejes së mësipërme për ofrimin e shërbimeve apo të punës në një leje përkatëse për punësim si punëmarrës nuk është i mundshëm kur kjo e fundit është në fuqi, por vetëm gjatë periudhës së ripërtëritjes së saj.
HYRJA NE GREQI VIZAT
A duhet të kenë shtetasit shqiptarë një vizë për të hyrë në Greqi ? Si merret viza ?
Çdo shtetas i huaj që hyn në territorin grek duhet të ketë: - një pasaportë apo dokument tjetër udhëtimi të njohur nga marrëveshjet kombëtare, - një vizë në dokumentat, kur kjo kërkohet nga marrëveshje ndërkombëtare në fuqi, ligji i komunitetit dhe dispozitat kombëtare.
A duhet të jenë të pajisur me vizë shtetasit shqiptarë që hyjnë në Greqi ? Shqipëria përfshihet në listën e atyre vendeve, shtetasit e të cilëve, bazuar në Rregulloren e Këshillit Evropian 539, dt.15.03.2001, duhet të kenë një vizë për të hyrë në një nga vendet e “Zonës Shengen” ku bën pjesë dhe Greqia.
Cili është autoriteti që lëshon vizën? Viza lëshohet nga autoritetet konsullore në vendin e qëndrimit të shtetasit të huaj, pasi merren në konsideratë parametra të veçantë lidhur me - rendin publik, - shëndetin publik dhe - sigurinë publike të vendit. Kjo mund të jetë një vizë Shengen apo vizë për qëndrim afatgjatë (vizë kombëtare).
Çfarë është një vizë Shengen? Kjo është një vizë e cila përmban një “stampë” speciale (ose “sticker”) të ngjitur/vulosur në pasaportën e aplikuesit ose në një dokument tjetër të vlefshëm, d.m.th. një autorizim i dhënë një të huaji për të hyrë në territorin e Greqisë ose të një pale tjetër kontraktuese apo të “Zonës Shengen” për tranzit ose qëllime vizite.
Çfarë është një vizë kombëtare? - Viza kombëtare lëshohet sipas dispozitave përkatëse statutore mbi lejet e qëndrimit; - kohëzgjatja e një vize kombëtare në çdo rast varet nga kohëzgjatja e parashikuar e qëndrimit.
Çfarë dokumentacioni duhet për të marrë një vizë? Dokumentacioni përkatës dhe procedurat për marrjen e një vize përcaktohen me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë. Ku duhet të kalojë një shtetas i huaj për të hyrë në Greqi? Çdo person lejohet të hyjë dhe të dalë në territorin grek vetëm përmes kalimeve të kontrolluara të kufirit.
A mund të kalohet në pika të tjera kufitare për të hyrë në Greqi? Hyrja dhe dalja nga kalimet kufitare, të ndryshme nga ato të përmendura në paragrafin e mësipërm, mund të lejohen vetëm në raste speciale, për arsye të jashtëzakonshme, me vendim të ministrit të Rendit Publik të Greqisë, ku përcaktohet edhe mënyra se si do të ushtrohet kontrolli.
Cfarë duhet të kenë parasysh shtetasit e huaj gjatë kalimit të kufirit? - Çdo person që hyn dhe del nga territori grek është subjekt i një kontrolli me të arritur apo me t’u larguar. - Kontrolli i personave që hyjnë dhe dalin nga territori grek është në kompetencën e ministrisë së Rendit Publik dhe ushtrohet nga autoritetet policore kompetente të çdo rajoni.
Kur nuk lejohet të hyjë në Greqi një shtetas i huaj? - kur ai është i regjistruar në regjistrin e shtetasve të huaj që nuk lejohen të hyjnë në vend, sipas nenit 82 të l.3386/2005; - kur hyrja e tij/saj mund të jetë e rrezikshme për rendin, sigurinë dhe shëndetin publik; - kur pasaporta apo çdo dokument tjetër i mbajtur prej tij/saj nuk siguron rikthimin në vendin e tij të shtetësisë apo të origjinës apo në një vend të tretë; - kur ai/ajo vjen me qëllim qëndrimi në Greqi për arsye për të cilat kërkohet lëshimi i një lejeje speciale qëndrimi dhe që nuk ka një vizë speciale të kërkuar; - kur ai/ajo nuk ka dokumentet e kërkuar për të justifikuar qëllimin e udhëtimit të tij/saj, si dhe mjetet financiare që janë të domosdoshme për jetesën e tij/saj. [Megjithatë, ka mundësi që një shtetas grek, me një deklaratë mikpritjeje që lëshohet sipas një formulari të veçantë dhe paraqitet si provë dokumentore pranë autoriteteve kompetente për kontrollin e pasaportave, të shpjegojë arsyet e udhëtimit të një shtetasi nga vende të treta, duke garantuar edhe një depozitë të një shume të posaçme, pranë Fondit të Depozitimeve dhe Huadhënieve, e cila mbulon shpenzimet e udhëtimit të mëtejshëm apo të dëbimit të këtij shtetasi, si dhe një shumë të barabartë me të ardhurat e një punëtori të pakualifikuar për tre muaj, me qëllim që të mbulohen një pjesë apo të gjitha shpenzimet e tij/saj]. …………………………………………….
Për më shumë informacion shih guidën “Informacione bazë për emigrimin e rregullt në Greqi”, në faqen e internetit www.mpcs.gov.al
|
|
|
Visitors
 | Today | 66 |  | Yesterday | 78 |  | This week | 66 |  | This Month | 540 |  | Total visitors | 101527 |
|